Sot seanca e jashtëzakonshme -“Vettingu”, gati komisionet e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancë plenare pasditen e së hënës në orën 18:00 për miratimin e procedurave dhe përbërjen e komisioneve të vettingut që do të bëjnë edhe rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në axhendën e Kuvendit janë dy projektvendime.
I pari ka të bëjë me miratimin e procedurave parlamentare për funksionimin e komisioneve “Ad Hoc” “për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa në projektvendimin e dytë parashikohet votimin “për krijimin dhe përbërjen e komisionit “Ad Hoc”.
Dy projektvendimet vijnë në kohën kur opozita ka bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë dhe proteston para kryeministrisë për krijimin e një qeverie teknike, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pikëpyetje ngrihen se si do të trajtohet nga maxhoranca mungesa e opozitës në Kuvend, ndërkohë që sipas Rregullores së Parlamentit, nismat e lartpërmendura mund të votohen edhe me shumicë të thjeshtë.
Nëse Kuvendi miraton ngritjen e komisionit të verifikimit, i cili parashikon 3 deputetë të shumicës dhe 3 të opozitës, më pas pritet të realizohen edhe seancat dëgjimore me kandidatët e mbetur në garë, nga të cilët Parlamenti do të miratojë me votim 27 anëtarët e organeve të vetting-ut.
Pak ditë më parë Avokati i Popullit dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë, listat dhe dosjet kandidatëve aplikues që shprehën interesin për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në Kuvend u dorëzuan edhe rekomandimet e hartuara nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Në tërësi u hartuan dy lista: e para me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe lista e dytë, me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë këto kritere. Në total pranë Avokatit të Popullit aplikuan 193 kandidatë.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.