“S&P” rrit notën e Italisë – Nuk ndodhte që prej vitit 1988, bind ekonomia
Agjencia e vlerësimit të kreditit, Standard and Poor`s ka rritur notën e borxhit sovran të Italisë në BBB/A-2, me perspektivë të qëndrueshme. Një rritje e notës së borxhit të Italisë nga kjo agjenci, nuk ndodhte që prej vitit të largët 1988, ndërkohë që duhet të kthehemi në vitin 2002 për të gjetur një rritje të notës nga një prej tre agjencive kryesore të vlerësimit të borxhit.
“Shohim në rritje vlerësimin e Italisë për shkak të perspektivës së rritjes në përmirësim, që merr shtysë nga rritja e investimeve si dhe nga tregu i punës, por edhe për shkak të politikës monetare ekspansive”, thuhet në njoftimin e gjigandit të vlerësimeve.
Italia duhet të priste plot 15 vite për t’u promovuar nga një prej tre agjencive të vlerësimit të kreditit. Ndër të tjera, Standard and Poor`s ka rishikuar në rritje edhe projeksionet për rritjen ekonomike të vendit gjatë këtij viti, në 1.4%, nga 0.9% që vlerësonte në raportin e kaluar, duke nënvizuar faktin se, janë reformat e ndërmarra gjatë dy viteve të fundit, shtysa e ekonomisë italiane, dhe sidomos e sektorit financiar.
Sa i përket risqeve më të mëdha për ekonominë e vendit, për Standard and Poor`s vijon të mbetet destabiliteti politik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.