Studimi/ Nevoja për të qëndruar në spital prej variantit Omicron është më i ulët se nga infeksioni me Delta!
Rreziku i nevojës për të qëndruar në spital për pacientët me variantin Omicron të COVID-19 është 40% deri në 45% më i ulët se për pacientët me variantin Delta, sipas një studimi nga Kolegji Imperial i Londrës.
Shkencëtarët po garojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me virulencën dhe ashpërsinë e Omicron për të ndihmuar qeveritë t’i përgjigjen variantit, i cili po përhapet me shpejtësi marramendëse.
Hulumtimi britanik pason një studim të Afrikës së Jugut të mërkurën, i cili zbuloi se njerëzit e diagnostikuar me Omicron në Afrikën e Jugut midis 1 tetorit dhe 30 nëntorit kishin 80% më pak gjasa për t’u pranuar në spital sesa ata të diagnostikuar me një variant tjetër në të njëjtën periudhë.
Studiuesit e Imperial College thanë se rreziku i çdo vizite në spital me Omicron ishte midis 20% dhe 25% më i ulët se sa me Delta.
Megjithatë, ata shtuan se reduktimet e shtrimit në spital duhet të balancohen kundrejt rrezikut më të madh të infeksionit me Omicron, për shkak të reduktimit të mbrojtjes që ofron si nga vaksinimi ashtu edhe nga infeksioni natyror.
Britania raportoi më shumë se 100,000 raste të reja të COVID-19 të mërkurën për herë të parë që kur testimi i përhapur ishte i disponueshëm.
Ata thanë se vlerësimet e tyre nga hulumtimi sugjeruan se njerëzit që kishin marrë të paktën dy doza vaksinash mbetën të mbrojtur thelbësisht nga shtrimi në spital, edhe nëse mbrojtja kundër infeksionit ka humbur kryesisht kundër variantit Omicron.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.