Taksa e infrastrukturës, Gjermeni: Ndryshon llogaritja, tani kombinohen dy ligje
Taksa e ndikimit në infrastrukturë pritet që të llogaritet sipas ndryshimeve të reja që drafti “Për planifikimin e zhvillimin e territorit” i diskutuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni dha edhe argumentet e këtij ndryshimi.
“Një tjetër element i rëndësishëm që ne propozojmë në këtë projektligj janë në fushën e lejeve të ndërtimit, të cilat do të veçoja: së pari saktësimin në ligj të taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila llogaritet sipas ligjit për sistemin e taksave vendore, por që nuk zbatohet për rikonstruksionin e godinave. Ajo çfarë ne kemi vënë re është se në ligjin për sistemin e taksave vendore parashikohet vetëm një mënyre e llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila për më tepër është e ndryshme nga mënyra e llogaritjes së po të njëjtës taksë të ligjit aktual. Për të eliminuar këtë mospërputhje kemi propozuar rakordimin mes dy ligjeve, pra ligjin e planifikimit të territorit dhe ligjin për taksat vendore. Së dyti të lejohet mundësia e shtyrjes së afatit të lejeve të ndërtimit në më shumë sesa njëherë”.
Ministrja sqaroi se tashmë për punimet e brendshme në shtëpi qytetarët do të kenë më pak burokraci pasi kjo do të zgjidhet përmes deklaratës paraprake.
“Së treti, të hiqet detyrimi i pajisjes me certifikatë përdorimi për punimet e kryera me deklaratë paraprake punimesh. Bëhet fjalë për punimet të brendshme shtëpie, me ndikim të ulët, që nuk nevojitet të pajiset me certifikatë përdorimi apo leje shfrytëzimi, edhe kjo për ta lehtësuar më shumë dhënien e lejeve të ndërtimit për qytetarët”.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.