Taksat e Pasurive e Taksa e Re e Pronës
Nga Dr. Sorina Koti
Taksa e pronës është taksa më e re e miratuar nga qeveria shqiptare për qytetarët dhe ka filluar aplikimin në 1 Prill 2018. Kjo taksë kombëtare, por që është cilësuar edhe si taksë vendore, do të paguhet fillimisht nga qytetarët dhe bizneset e katër bashkive pilot, që janë përzgjedhur nga qeveria: Tirana, Korça, Durrësi, Fieri dhe më pas do shtrihet në gjithë territorin.
Bashkitë e përzgjedhura janë bashki me numër të lartë popullsie, përqëndrim të aktiviteteve tregëtare dhe rregullsi më të lartë në pagesa karshi enteve publike sesa pjesa tjetër e bashkive.
Aktualisht qytetarët paguajnë disa taksa mbi pasuritë e paluajtshme, si taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore. Tabela më poshtë tregon të ardhurat, që kanë mbledhur bashkitë e përzgjedhura. Të dhënat janë progresive për T1 të 4-viteve të fundit dhe janë marrë nga databaza e financatvendore.al
Tabela 1. Taksat për pasuritë e paluajtshme për katër bashkitë pilot
Burimi: financatvendore.al
Nga të dhënat e mësipërme shohim se taksa mbi truallin nuk rezulton të ketë ndikim në buxhetet lokale, pasi në pjesën më të madhe ajo nuk arkëtohet (probleme me regjistrin e të dhënave). Taksa e ndërtesës zë pjesën më të madhe, ndërsa taksa bujqësore zë një peshë shumë të vogël. Arketimet për bashkitë në tremujorin e parë të vitit 2018 janë më te ulëta sesa ato përpara një viti, përveç bashkisë Durrës, që ka një ritje të lehtë. Grafiku konstaton nivelin e ulët të mbledhjes së taksave të pasurive të paluajtshme si dhe indirekt tregon reduktimin e numrit të ndërtimeve të reja në këto bashki. Ndërsa grafikët e mëposhtëm tregojnë në nivel kombëtar, luhatjet e arkëtimeve nga taksat për pasuritë e paluajtshme dhe përqindjen, që zenë ato në të ardhurat vendore.
Grafik 1. Të ardhurat nga taksat e pasurive të paluajtshme
Burimi: financatvendore.al
Në nivel kombëtar, taksa e pasurive të paluajtshme ka pësuar rritje prej vitit 2016, kjo për shkak të lejave të reja për ndërtim, të cilat ishin pezulluar prej 2 vitesh. Në totalin e të ardhurave vendore, taksa e ndërtesës është e konsiderueshme, duke zenë rreth 17.5% të të ardhurave (e dyta në kontribut pas taksës së ndikimit të infrastrukturës).
Grafik 2. Të ardhurat vendore
Nga informacioni i mësipërm konstatohet se, qytetarët paguajnë mjaftueshëm taksa për ndërtesat dhe truajt, që disponojnë, atëherë pse duhet që qeveria të vendosë një taksë të re shtesë ? A është i nevojshëm rishikimi i taksave të pasurisë të paluajtshme, në mënyrë që të reduktohen disa, përderisa do paguhen në taksën e re të pronës ?
Që në momentin e miratimit nga qeveria të datës së hyrjes në fuqi të taksës së re te pronës, janë evidentuar problematika të shumta. Kadastra fiskale dhe reforma e taksimit të pronës nuk janë ende gati. Qeveritë shqiptare nuk u kanë dhënë zgjidhje problemeve të pronës dhe të pronarëve. Shqipëria vuan akoma nga ndërtimet pa lejë, legalizimet e stërgjata në kohë, konfliktet e pronësisë etj. Për shumë specialistë, taksa e pronës rrezikon të dështojë ende pa filluar. Rregjistri Qëndror i bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme ende nuk është gati. Qeveria shqiptare u nxit nga FMN-ja për të vendosur taksën e pronës dhe paralelisht iu kërkua me insistim formalizimi i plotë i tregut të pasurive të paluajtshme dhe regjistrimi i saktë për çdo pronë. Për fat të keq, gjatë këtyre katër viteve të draftimit të taksës dhe angazhimit të gjithë institucioneve të varësisë, nuk u arrit në kohë finalizimi i projektit. Atëherë, pse duhet ta miratonte qeveria taksën e pronës kur Kadastra Fiskale dhe bashkitë nuk janë ende gati ? A kanë institucionet e mësipërme burime njerëzore të mjaftueshme, për të menaxhuar proçedurat teknike, që vijnë nga administrimi i ri i taksës së pronës ? A ka instrumenta ose infrastrukturë të nevojshme (teknologji informacioni, programe informative inteligjente, etj.), që të kryhet rakordimi i pagesave nga Regjistri Qëndror në Regjistrin lokal të Bashkive?
Një problem tjetër është miratimi i operatorit mbledhës së taksës së pronës, që do të jetë OSHEE, si dhe një komision prej 4%, i cili do përfitohet nga operatori për shërbimin, që do të ofrojë. Komisioni i Ekonomisë ka përcaktuar vlerën që do paguhet nga familjarët (0.05% e vlerës së pronës), ndërsa për bizneset do jetë 0.2% e vlerës (nga 0.15% që ishte diskutuar në draft). Për më tepër, qytetarët dhe bizneset do të fillojnë ta paguajnë në Janar të vitit 2019, duke llogaritur efektin e taksës e cila ka hyrë në fuqi në 1 Prill 2018.
Përcaktimi arbitrar nga qeveria i operatorit OSHEE për mbledhjen e taksës, si dhe vendimi i paargumentuar për vendosjen e komisionit prej 4%, bie ndesh me Ligjin për “Financat e Vetëqeverisjes Vendore” dhe Reformën e Decentralizimit. Bashkitë mund ta zgjidhnin vetë operatorin e mbledhjes së taksave ose të zgjidhnin pagesën në sportelet e tyre, ashtu siç aktualisht kryhet pagesa e taksave dhe tarifave të tjera vendore. Pas imponimit nga qeveria, që OSHEE do të jetë operatori mbledhës, pritet që të kemi rritje jo të njëtrajtshme të te ardhurave në buxhetet e bashkive. Kjo për arsye se arkëtimet e taksës do të jenë më të larta në bashkitë ku arkëtimet / faturimet nga pagesat e OSHEE-së janë më të larta, pra aty ku njerëzit paguajnë me rregullisht faturën e dritave (Korça është qyteti me arkëtimet më të larta në nivel kombëtar). Kjo do të kthehet problematikë, në bashkite ku informaliteti është i lartë dhe energjia elektrike nuk paguhet. Ka shumë subjekte dhe familjarë, të cilët akoma nuk kanë një kontratë me OSHEE ose abuzojnë me lidhje dyfishe. Në njësitë administrative dhe zonat rurale, ky problem është shumë i theksuar. Atëherë, kush do e garantojë efiçencën e mbledhjes së taksës së pronës?
Mungesa e një politike decentralizimi tregohet edhe me krijimin e Drejtorisë së re të Taksës së Pronës, drejtori e cila është në varësi drejtpërdrejt të qeverisë. Drejtoria e re do monitorojë mbledhjen e taksës dhe problematikat rreth saj. Sjellja arrogante e qeverisë në mosdhënien e kompetencave shtesë bashkive, për të forcuar autonominë e tyre në administrimin dhe mbledhjen e taksës së mësipërme, është tipar i një pushteti të përqëndruar dhe një realitet i hidhur i hipokrizisë së decentralizimit vendimmarrës lokal.
Mbledhja e taksës së pronës nga OSHEE dhe monitorimi i saj nga Drejtoria e Taksës dhe Pronës lind dyshimin e fortë se, paratë e taksapaguesve nuk do të shkojnë për qëllimin që kjo taksë u vendos. Koha do provojë nëse kjo taksë do të shkojë në buxhetet e bashkive, siç e percakton ligji, apo do përfundojë në arkën e shtetit dhe fati i saj do të përcaktohet nga qeverisja qëndrore.
Një tjetër problem, në dukje teknik, por thelbësisht i rëndësishëm është edhe rakordimi i pagesave nga OSHEE tek bashkitë. Sipas draftit, pagesat do kryhen 1 herë në 3 muaj, por në mungesë të sistemeve të integruara informatike të pagesave të OSHEE dhe bashkive, kjo do të kërkojë një angazhim ‘titanik” të stafeve lokale të bashkive për të evidentuar pagesat e qytetarëve nga faturat e OSHEE në regjistrin e taksave të bashkive. Kjo është joefiçente dhe do të shkaktonte vonesa në rakordime dhe kohë profesionale të humbur.
Bashkitë mund të rritin ndjeshëm të ardhurat e tyre si dhe të kenë efiçencë më të lartë në mbledhjen e taksës së pronës, nëse taksën e kontrollojnë vetë, pasi territori që ato kontrollojnë është më i kufizuar dhe mjetet lokale që disponojnë janë më fleksibël.
Është koha, kur të gjitha bashkitë duhet të reagojnë me një zë të vetëm, për të kërkuar mbledhjen dhe menaxhimin e taksës së pronës nga ato vetë, si dhe vendosjen e operatorit sipas procedurave të Ligjit për Financat Vendore.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.