Një udhëzues se çfarë duan Rusia dhe Ukraina nga bisedimet – Ku janë vijat e kuqe!

Ndërsa forcat ruse godasin qytetet, fshatrat dhe zonat anembanë Ukrainës, presioni po rritet mbi zyrtarët nga të dyja palët për të arritur në një lloj zgjidhjeje, duke i dhënë fund shkatërrimit dhe gjakderdhjes sa më shpejt të jetë e mundur. Përpjekjet e mëparshme për bisedime duket se kanë bërë pak përparim, me kërkesat e të dyja palëve në dukje larg njëra-tjetrës, por ka vend për kompromis dhe shenja se diskutimet po shkojnë në drejtimin e duhur.
Në fjalimin e tij të natës të hënën, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se bisedimet atë ditë kishin qenë “shumë të mira”. Ndërkohë, Rusia tha se diskutimet gjatë fundjavës kishin bërë “përparim thelbësor”. Një raund i pestë i bisedimeve do të zhvillohet të martën me shpresën se kjo shtysë për të arritur një marrëveshje mund të vazhdojë.
Këtu është një udhëzues i shkurtër se çfarë dëshiron secila palë:
Çfarë dëshiron Rusia?
Një nga pyetjet më të mëdha të paraqitura nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili filloi seriozisht më 24 shkurt, është se çfarë dëshiron Presidenti Vladimir Putin – sepse nuk është bërë plotësisht e qartë. Shumë vëzhgues të afërt të vendit kanë thënë se qëllimi kryesor i Putin është të rivendosë sferën e ndikimit të Rusisë mbi territoret ish-sovjetike si Ukraina dhe të ndalojë rrëshqitjen e tyre drejt Perëndimit.
Në afat të shkurtër, Putin shihet se dëshiron të rrëzojë qeverinë pro-perëndimore të Ukrainës dhe të instalojë një udhëheqje kukull pro-ruse atje në një përpjekje për ta rikthyer Ukrainën në orbitën e Rusisë. Nga ana e saj, Rusia ka qenë e qartë në deklarimin e asaj që dëshiron nga bisedimet me Ukrainën:
- Ajo kërkon garanci ligjore që Ukraina nuk do të lejohet kurrë në NATO, aleancën ushtarake perëndimore, dhe që atëherë ka thënë se dëshiron që Ukraina të nënshkruajë një marrëveshje neutraliteti dhe të ndryshojë kushtetutën e saj për ta çimentuar këtë.
- Moska ka kërkuar që Ukraina të njohë pavarësinë e dy republikave separatiste, pro-ruse në Ukrainën lindore, të ashtuquajturat Republika Popullore të Donetskut dhe Luganskut.
- Ajo ka kërkuar gjithashtu që Ukraina të njohë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, si territor rus. Dhe i ka bërë thirrje Ukrainës që të ndërpresë të gjitha aktivitetet ushtarake.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha javën e kaluar se lufta do të ndalet “në një moment” nëse Ukraina pajtohet me këto kërkesa. Rusia ka shumë për të humbur nga lufta me Ukrainën, dhe tashmë është izoluar kryesisht në një skenë gjeopolitike, financiare dhe tregtare, me biznese dhe marka që u tërhoqën nga Rusia në vazhdën e luftës dhe imponimit të Perëndimit të sanksioneve ndaj Rusisë, duke e lënë ekonominë e saj në rrënim.
Çfarë kërkon Ukraina?
Presidenti Zelenskyy përmblodhi qëllimin e Ukrainës kur tha të hënën se vendi i tij dëshiron një “paqe të drejtë” me Rusinë. Ai ka këmbëngulur se vendi nuk është i gatshëm të dorëzohet ose të pranojë ultimatumet nga Rusia. Ukraina ka kërkuar një armëpushim me Rusinë, tërheqjen e trupave ruse dhe ka thënë se nuk do t’i lëshojë asnjë nga territoret e saj Rusisë. Megjithatë, është e paqartë nëse kjo do të thotë se do të refuzojë të njohë republikat separatiste pro-ruse në Donbas ose Krime si territor rus.
Ukraina ka sinjalizuar gjithashtu se mund të bëjë kompromis për anëtarësimin e ardhshëm në NATO, duke thënë se do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga anëtarësimi nëse merr “garanci sigurie” nga SHBA dhe NATO, duke garantuar sigurinë e saj, përveç çdo marrëveshjeje tjetër me Rusinë.
Një prioritet i menjëhershëm për Ukrainën ka qenë krijimi i korridoreve humanitare për të lejuar evakuimin e sigurt të civilëve, disa prej të cilëve janë përpjekur të mbijetojnë nën rrethim dhe të paaftë për të shpëtuar. Një shqetësim kyç për Ukrainën në javët e fundit ka qenë qyteti port jugor i Mariupolit. Ai është i rrethuar nga forcat ruse dhe është përballur pothuajse me bombardime të vazhdueshme, ndërkohë që ushqimi, uji dhe energjia në qytet u bënë të pakta dhe përpjekjet e mëparshme për një armëpushim dështuan.
Ka pasur sukses të përzier në krijimin e korridoreve humanitare në Ukrainë, me disa që janë krijuar, por duke i drejtuar ukrainasit në Rusi, ose aleatin e saj në Bjellorusi, ndërsa të tjerët janë hequr mes raporteve të civilëve që viheshin nën zjarr ndërsa përpiqeshin të largoheshin.
Shpresohet se më shumë civilë do të jenë në gjendje të evakuojnë Mariupolin të martën, pasi një numër i madh civilësh u larguan të hënën. Ukraina ka thënë se planifikon të dërgojë një kolonë me furnizime humanitare në qytetin port të martën dhe shpreson të marrë gra dhe fëmijë nga qyteti në rrugën e kthimit, raportoi Reuters.
Më shumë se 2,500 banorë janë vrarë në Mariupol që nga pushtimi rus më 24 shkurt, sipas një zyrtari ukrainas të hënën të cituar nga Reuters, megjithëse shifrat janë të vështira për t’u verifikuar. Rusia ka thënë se nuk ka në shënjestër civilët, pavarësisht dëshmive për të kundërtën me shënjestrimin e spitaleve dhe infrastrukturës tjetër publike.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.