TAP, në Shqipëri përfundon 70% – Konsorciumi: 539 km nga 765 janë gati, përfshirë Greqinë
Punimet për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik kanë përfunduar në masën 50% në të gjitha vendet e përfshira. Projekti madhor ka rreth 16 muaj që ka filluar. Vetë konsorciumi i projektit njofton se, në Greqi dhe Shqipëri, ku në fakt është përqendruar pjesa më e madhe e projektit, punimet kanë përfunduar në masën 70%.
Në dy vendet, gazsjellësi do të jetë i gjatë 765 kilometra, dhe deri më tani janë bërë gati 539 kilometra tubacione. Rreth 95% e tubave janë dorëzuar në Greqi, Shqipëri dhe Itali. Sa i përket investimeve të gazsjellësit në ambient dhe shoqëri, ato do të fiksohen në rreth 55 milionë euro, bën me dije vetë konsorciumi.
Gazsjellësi Trans-Adriatik që do të transportojë gazin nga Azerbaixhani në Bashkimin Europian, përmes Shqipërisë si nyje kyçe, është vlerësuar si një ndër prioritetet strategjike të Bashkimit Europian.
Zyrtarë të lartë të unionit kanë bërë vazhdimisht apel që ky projekt të mbarojë brenda afateve. Ecuria e derimëtanishme tregon se diçka e tillë do të jetë mëse e realizueshme dhe se brenda 2020 në Europë do të transportohet gazi azer.
Në muajin prill të këtij viti, konsorciumi njoftonte se në Shqipëria kishin përfunduar punimet në masën 47%, çka do të thotë se ritmet e punimeve kanë qenë tepër të larta gjatë katër muajve të fundit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.