Tsipras apel francezëve: “Ejani të investoni në Greqi, nuk do pendoheni”

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, i bëri apel investitorëve francezë që të investojnë në Greqi, në një kohë që vendi po del nga kriza.
Numri një i ekzekutivit helen, i siguroi ata, se nuk do të pendohen për diçka të tillë. “Greqia është një mundësi, një mundësi reale”, deklaroi Tsipras përballë liderëve të biznesit francez, i shoqëruar edhe nga Presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës dy-ditore të këtij të fundit në Athinë.
Alexis Tsipras shtoi gjithashtu se, tërheqja e investimeve të huaja është një prioritet kyç i qeverisë së tij, që ka për qëllim që të ulë normën e papunësisë si dhe ta bëjë Greqinë të pavarur financiarisht brenda vitit 2018, kur vendi do të dalë nga programi i shpëtimit.
Në momentin që kjo do të ndodhë, Greqia nuk do të ketë asnjë mundësi financimi nga jashtë, në rast se nuk do të përfshihet në tregjet ndërkombëtare të borxhit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.