Tregtia në Gjermani – Tkurret sufiçiti, rritja e importeve tejkalon atë të eksporteve
Sufiçiti tregtar në Gjermani është tkurrur për muajin Korrik, ndërkohë që importet janë rritur shumë më shpejtë se eksportet, gjë që tregon se ekonomia më e madhe e Europës do të mbështetet përsëri te kërkesa e brendshme për të nxitur rritjen në tremujorin e tretë.
Eksportet u rritën me 0.2% për muajin, ndërsa importet, me 2.2%, tregojnë të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave. Të dy shifrat rezultuan poshtë vlerësimeve të analistëve.
Sufiçiti tregtar i përshtatur ndaj efekteve sezonalë, u tkurr në 19.5 miliardë euro, nga 21.2 miliardë që ishte në Qershor. Niveli i muajit Korrik, ishte poshtë vlerësimeve prej 20.3 miliardë euro.
Të dhënat për tregtinë erdhën pas publikimit të porosive industriale, që ranë për Korrikun prej rënies së kërkesës nga jashtë. Megjithatë, analistët nuk shqetësohen për ekonominë gjermane.
Humori i bizneseve gjermanë ra në muajin Gusht, pas 3 muajsh radhazi në nivele rekord, duke treguar se vrulli i nxitur nga konsumi në Gjermani do të vazhdojë.
Në tremujorin e dytë, konsumi ishte burimi kryesor i rritjes ekonomike, prej përfitimeve nga punësimi në nivel rekord, rritja e pagave dhe normat e ulëta të interesit.
Programi lehtësues i Bankës Qendrore Europiane ka ndihmuar ekonominë gjermane, që nuk varet më nga eksportet, por nga kërkesa e brendshme. Euro e fortë, që ka shtuar 14% të vlerës kundrejt dollarit amerikan, mund të sjellë një pengesë tjetër për eksportuesit gjermanë.
Megjithatë, analistët thonë se eksportet gjermane janë më pak të ndjeshme ndaj çmimeve krahasuar me eksportet e vendeve të tjera të Eurozonës. Të dhëna të tjera treguan se sufiçiti i llogarisë korrente, që mat fluksin e të mirave, shërbimeve dhe investimeve, ra në 19.4 miliardë euro, nga 25 miliardë që ishte në Qershor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.