Tarifat e Trump në Kinë – Apple: Do të dëmtojnë kompaninë, konsumatorët do të duhet të paguajnë më shumë
Konsumatorët e Apple do të duhet të paguajnë më shumë për produktet e kompanisë pas vendosjes së tarifave të propozuara nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Deklarata vjen nga kompania përmes një letre drejtuar autoriteteve amerikane, ku shkruan se tarifat e Trump në Kinë do të ‘godasin’ kompaninë pasi pritet të përfshijnë një gamë të gjerë edhe të produkteve të Apple.
“Tarifat e propozuara nga Trump për 200 miliardë dollarë mallra kineze do të ndikojnë tek Apple Watch, AirPods dhe Apple Pencil. Ato gjithashtu do të godisnin HomePod, Mac Mini dhe adaptues për një mori produktesh. Si rezultat, konsumatorët do të duhet të paguajnë më shumë për produktet e Apple”, shkruan kompania në letrën e publikuar nga Bloomberg.
Ndërsa gjigandi i teknologjisë nuk përcaktoi se sa do të jetë rritja e tarifave për produktet e saj, shtoi se shpreson që Trump t’i rishikojë masat e ndërmarra, pasi janë konsumatorët e SHBA ato që do të përballen me çmimet më të larta.
“Ne shpresojmë që t’i rishikoni këto masa dhe të punoni për të gjetur zgjidhje të tjera më efektive që e bëjnë ekonominë e SHBA dhe konsumatorët më të fortë se kurrë më parë”, thuhet më tej në letrën e kompanisë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.