Të ardhurat nga fasonet – 96 milionë euro për tremujorin e parë
Puna me fason i solli ekonomisë shqiptare 96 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të mallrave për porositës të huaj ishin në vlerë të njëjtë me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Puna e lirë ngelet kolona kryesore e eksporteve të ekonomisë shqiptare. Vetëm nga sektori fason, vendi ynë siguron të ardhura vjetore në rreth 3% të Prodhimit Kombëtar, ndërsa duke përfshirë edhe eksportin e shërbimeve të tjera kjo shifër arrin deri në 7% të PBB-së.
Biznesi me fason ka përjetuar një rimëkëmbje në vitet e fundit, duke i rezistuar mirë krizës së kërkesës së jashtme, ashtu si edhe konkurrencës nga vendet e tjera.
Rritja e fasoneve ka kompensuar rënien e ndjeshme në eksportet e lëndëve të para, gjatë krizës së çmimeve të viteve të fundit.
Shërbimet e përpunimit aktiv janë të përqendruara kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë, por, në vitet e fundit, ka një zgjerim të spektrit të produkteve që prodhohen në Shqipëri, për shkak të kostos së ulët të krahut të punës.
Sipas INSTAT, vetëm sektori i veshjeve dhe këpucëve ka rreth 30 mijë të punësuar, megjithatë, sipas sipërmarrësve, numri real i të punësuarve është shumë më i lartë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.