Hyn në fuqi rregullorja e përbashkët e falimentit në Bashkimin Europian – Jo më turizëm falimentar

Rregullat e reja ndërkufitare për procedurat e falimentimit, të propozuara nga Komisioni Europian në vitin 2012 do të hyjnë në fuqi të Hënën në të gjithë Bashkimin Europian.
Ndër ndryshimet më të mëdha përfshihen edhe disa rregulla të reja për të lehtësuar rikuperimin e borxhit. Kjo do ta bëjë më të lehtë për bizneset të ristrukturohen, ndërsa kreditorët do ta kenë më të lehtë të marrin paratë e tyre, duke siguruar që procedurat e përbashkëta ndërkufitare të rekuperimit të borxhit të jenë efektive dhe eficiente.
Normat fokusohen edhe në zgjidhjen e konflikteve juridike ndërkufitare në procedura të tilla, duke siguruar edhe njohjen e vendimeve që kanë të bëjnë më këto çështje përgjatë BE.
Komisionerja europiane për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore, Vera Jourova u shpreh: “Rregullorja e re e falimentit do të lehtësojë procedurat brenda BE dhe do të parandalojë turizmin falimentar. Tani do të ketë rregulla të reja për ristrukturimin dhe mundësi të dytë, duke hequr barriera për investime dhe duke mbështetur sipërmarrësit e ndershëm”.
Turizmi falimentar është një fenomen ku banorët e një vendi zhvendosen në një tjetër vend për të deklaruar falimentin atje, për shkak të ligjeve më favorizuese.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.