Të rihapen gjykatat e përmbarimi – Ministria e Drejtësisë: Gjyqet sipas rregullave të sigurisë e përmes komunikimit në distancë
Ministria e Drejtësisë i ka propozuar Këshillit të Ministrave hapjen e gjykatave, ashtu si dhe të shërbimit të përmbarimit, por edhe rikthimin nëpër salla të Komisioneve të Vetting-ut. Ministria ka kërkuar ndryshimet e nevojshme në Aktin Normativ të Qeverisë të miratuar më 25 mars për të bërë të mundur lejimin e zhvillimit të seancave gjyqësore.
Ministria kërkon që gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 gjykatat të zhvillojnë seancat gjyqësore duke zbatuar masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate.
Gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim. Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas marrjes së mendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Minsitrit të Drejtësisë, cakton listën e programeve kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.
Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.