Tregjet e nisin javën në rënie – Investitorët vëzhgojnë sulmin terrorist në Londër dhe Lindjen e Mesme
Tregjet financiarë e nisën javën në rënie, duke reaguar ndaj sulmit terrorist në Londër gjatë fundjavës. Sulmi, që la 7 persona të vdekur, ndodhi vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May tha se është koha që të përshpejtohet lufta kundër ekstremizmit islamik.
Paundi reagoi direkt me hapjen e sesionit Aziatik, duke rënë në 1.2845 kundër dollarit amerikan (GBPUSD). Indekset kryesorë të titujve të kapitalit në Azi, u mbyllën gjithashtu në rënie gjatë ditës së parë tregtare të javës. Megjithatë, analistët thanë se sulmi i fundjavës do të ketë ndikim minimal në tregje, pasi fokusi kryesor qëndron te zgjedhjet në ditën e Enjte.
Liderja konservatore ka humbur terren ndaj kundërshtarit laburist gjatë javëve të fundit. Sondazhet tregojnë ende për një mazhorancë të Konservatorëve, por shanset e një rezultati të tillë kanë ardhur në rënie ndërsa zgjedhjet po afrojnë. Dollari amerikan u tërhoq gjithashtu në hapje të sesionit tregtar, duke prekur nivelin më të ulët që prej muajit Nëntor, kryesisht prej raportit mbi punësimin në SHBA të publikuar ditën e Premte, që rezultoi poshtë pritshmërive.
Shanset që Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit në takimin e këtij muaji janë reduktuar.
Ndërkohë, në Europë, investitorët po presin takimin e Bankës Qendrore Europiane ditën e Enjte, që është i pari pas zgjedhjeve presidenciale në Francë. Presidenti i institucionit, Mario Draghi, ka thënë se pavarësisht trendit pozitiv përreth bllokut, politikat lehtësuese monetare do të qëndrojnë.
Një tjetër event i vëzhguar nga investitorët në nisje të javës ka qenë prishja e marrëdhënieve diplomatike me Katarin nga Arabia Saudite, Bahreni, Emiratet e Bashkuara dhe Egjipti, prej lidhjeve të vendit me terrorizmin dhe prej nevojës për të ruajtur sigurinë kombëtare.
Indeksi benchmark i titujve të kapitalit në Katar ra me 8.8% pas lajmërimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.