Tregtia, jashtë G7 – Nuk do të diskutohet, njësoj siç ndodhi me G20
Tregtia nuk do të jetë në axhendën e bisedimeve të ministrave të financave të G7-ës gjatë takimit të 11, 12 dhe 13 majit në Bari të Italisë, deklaruan zyrtarë të lartë të thesarit në vendin fqinj.
Këta të fundit shtuan se, tregtia do të diskutohet mes liderëve të 7 vendeve më të industrializuara të globit në fund të muajit gjatë takimit që do të zhvillojnë në Taormina, Siçili.
Lënia jashtë diskutimeve e një çështje kaq delikate sa tregtia, pikërisht në një kohë që proteksionizmi kërcënon t`i japë një goditje të fortë, vjen pas takimit të G20-ës në Mars, kur për të parën herë, ministrat e financave dhe liderët e 20 vendeve thyen traditën, duke mos premtuar asgjë për tregtinë e lirë, dhe duke i lënë rrugë të lirë politikave gjithmonë e më shumë proteksioniste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo qasje e re e politikës globale ndaj tregtisë së lirë vjen pavarësisht apelit të vazhdueshëm nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregtisë, etj.
G7 e Barit do të fokusohet në çështje si taksimi ndërkombëtar, siguria kibernetike, koordinimi i institucioneve financiare globale dhe mënyrat për të luftuar pabarazinë. Deklarata e përbashkët në fund të takimit ndërkohë, mësohet se do t`i referohet normave të këmbimit valutor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.