Tregtia neto në Eurozonë – Ngadalësohet gjatë muajit Mars, suficiti tkurret në 26.9 mld euro
Importet dhe eksportet e Eurozonës janë ngadalësuar në muajin Mars, tregojnë të dhënat e Eurostat, duke shtuar provat se tensionet tregtare po frenojnë tregtinë globale.
Agjencia e Statistikave e Bashkimit Europian, raportoi se eksportet e mallrave të bllokut të valutës së përbashkët ranë me 2.9%, ndërsa importet, me 2.5%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Organizata Botërore e Tregtisë deklaroi këtë javë se tensionet tregtare kanë nisur të pengojnë tregtinë globale të mallrave, ndërkohë që publikoi treguesin mbi perspektivën.
Në vlerë, eksportet e Eurozonës me pjesën tjetër të botës gjatë muajit Mars, arritën në 199.9 miliardë euro, ndërsa importet, në 173 miliardë.
Sufiçiti tregtar i Eurozonës rezultoi në 26.9 miliardë euro në Mars, në rënie nga 28.5 miliardë që ishte një vit më parë, megjithatë sipër rezultatit të Shkurtit prej 18.9 miliardë euro. Duke u përshtatur ndaj efekteve sezonalë, eksportet treguan rritje me 0.8% me bazë mujore, ndërsa importet u rritën me 0.7%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.