Tria: Italia mund mund të shmangë veprimin e BE mbi deficitin, nëse ul shpenzimet
Italia mund të shmangë masat disiplinore nga Komisioni Europian mbi planet e saj të shpenzimeve duke iu përmbajtur objektivit aktual të deficitit buxhetor, por Roma do të duhet të shkurtojë shpenzimet në vend të rritjes së taksave, tha të martën ministri i ekonomisë Giovanni Tria. Bashkimi Europian duket gjithnjë e më shumë i bindur të imponojë procedura disiplinore ndaj Italisë mbi menaxhimin e borxhit të saj të madh publik, pas takimeve jo-konkulzive të premten mes ministrit italian të financave dhe partnerëve të tij të BE.
Duke folur për investitorët e obligacioneve dhe bankierët në një konferencë në Londër, Tria kërkoi të sigurojë komunitetin financiar ndërkombëtar se Italia nuk do të shkelte rregullat europiane. Një ngadalësim i papritur i rritjes vitin e kaluar nënkuptonte se Italia nuk mund të pajtohej me rregullat fiskale të Bashkimit Europian, por një rritje në faturat tatimore dhe shpenzimet më të ulëta se ato të pritura në programet e mirëqenies sociale në 2019 treguan se Italia ishte në rrugën e duhur.
“Ne do të kemi angazhimet e miratuara nga parlamenti,” u përgjigj ai kur u pyet nëse Roma do të duhej të paraqiste angazhime të reja për të shmangur masat disiplinore nga Brukseli. “Për vitin e ardhshëm, ne duhet të tregojmë se cilin instrument do të përdorim,” tha Tria, duke shtuar se ai preferonte shkurtimin e shpenzimeve dhe jo rritjen e taksave për të arritur një objektiv të deficitit buxhetor prej rreth 2.1% të PBB-së.
Tria gjithashtu kërkoi nga investitorët që të shmangin “zhurmën” që vjen nga koalicioni qeverisës në Romë, dhe në vend të kësaj të përqendrohen në angazhimet aktuale të shpenzimeve nga qeveria. “Ne nuk duam të krijojmë probleme në Europë. Ne duhet të përforcojmë besimin tek investitorët në situatën financiare të Italisë,” tha Tria.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.