Trump “varfëron” Bezos – Retorika që rrëzoi bursat i shkaktoi $2 mld humbje
Rreth një javë më parë, Jeff Bezos i rrëmbente vendin e parë, pas katër vjetësh, Bill Gates, si njeriu më i pasur në botë. Por, kjo zgjati vetëm disa orë. Sot, jo vetëm që Bezos, themeluesi i Amazon, nuk është njeriu më i pasur në botë, por madje ka zbritur në vendin e tretë të listës prestigjioze.
Miliarderi humbi të Enjten plot 2 miliardë dollarë si pasojë e turbullirave që pësuan tregjet globale. Gjatë së Enjtes, këto turbullira, i shkaktuan 500 njerëzve më të pasur në botë humbje në vlerën e 42.7 miliardë dollarëve.
Jeff Bezos rezulton të jetë një prej humbësve më të mëdhenj. Aksionet e Amazon gjatë së Enjtes ranë me 2.6%, duke tkurrur pasurinë e Bezos në 82.2 miliardë dollarë, ose 600 milionë dollarë më pak se themeluesi i Zaras, Amancio Ortega.
Vetëm një javë më parë, kur u ngjit në vend të parë, pasuria e Bezos prekte shifrën e çmendur të 90 miliardë dollarëve. Në harkun e 5 viteve, pasuria e tij është rritur me plot 65 miliardë dollarë, duke e kthyer në një prej njerëzve më të suksesshëm të globit.
Pas fjalëve dhe gjuhës së ashpër të Donald Trump ndaj Koresë së Veriut, miliarderët që operojnë në fushën e teknologjisë pësuan humbjet më të mëdha, duke zënë 7 vende në listën e 10 humbësve më të mëdhenj.
Edhe themeluesi i Facebook, Mark Zuckeberg, humbi plot 1.6 mld dollarë. Bill Gates ndërkohë, pavarësisht se humbi 848 milionë dollarë, vijon të mbajë vendin e parë të listës, i pashqetësuar sërish me 90 miliardë dollarët e tij.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.