UBS, fitime neto prej 2 miliardë USD / Kontributin më të madh e dha njësia e manaxhimit të pasurisë
Banka UBS ka tejkaluar parashikimet e analistëve me fitimet e saj për tremujorin e dytë të këtij viti, kryesisht për shkak të performancës shumë të mirë të biznesit të manaxhimit të pasurisë. Gjiganti bankar zviceran raportoi një fitim neto prej 2 miliardë dollarë për tremujorin e dytë të vitit, në rritje me 63% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Analistët parashikonin një fitim neto prej 1.34 miliardë dollarë. Në raportin për fitimet, UBS i atribuonte një pjesë të mirë të suksesit kushteve të favorshme të tregut dhe besimit të investitorëve. “Rritja jonë në tremujorin e dytë të vitit u përcaktua nga marrëdhënia që kemi ndërtuar dhe forcuar gjatë pandemisë dhe nga besimi i klientëve tanë. Të gjitha divizionet e biznesit në të gjitha rajonet kontribuuan pozitivisht në rezultatet tona”, deklaroi shefi ekzekutiv i UBS, Ralph Hamers. Gjithashtu, ai u shpreh për CNBC se strategjia për tu fokusuar te sektorë dhe klientë të veçantë ka filluar të japë frutet e veta, ndërkohë që kërkesa po rritet. Njësia “Manaxhimi Global i Pasurisë” tha kontributin më të madh në rezultate, duke gjeneruar një rritje me 47% të fitimeve përpara taksave, në rreth 1.3 miliardë dollarë. Në këtë mënyrë, banka zvicerane e ka lënë pas skandalin e falimentimit të fondit amerikan, Archegos Capital. Skandali i shkaktoi një goditje prej 774 milionë dollarë në fitimet, gjatë tremujorit të parë, dhe tronditi investitorët.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.