Unioni ballkanik doganor – Laknori: Synojmë rinegocim të CEFTA-s
Shkëmbimet tregtare mes vendeve të Ballkanit edhe pse kanë ardhur në rritje, nuk janë në parametrat e pritshëm, ose e thëne ndryshe janë nën potencial.
Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi përsëri problematikat që has biznesi janë të shumta, ndërkohë që çdo ditë e më tepër po i mëshohet faktit që duhet të jemi një treg i përbashkët.
Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, njëkohësisht Kordinatore e CEFTA-s, Albana Laknori, u shpreh në një intervistë për TV SCAN, se zhvillimet ekonomike të vendeve të rajonit gjatë viteve të fundit e bëjnë të domosdoshme një rinegocim të kësaj marrëveshjeje.
“Po bëhen përpjekje që të rinegociohet CEFTA, sepse sa më shumë shkon koha e afrimit që këto vende të hyjnë në Europë, aq më shumë ndihet nevoja që kjo CEFTA të rishikohet. Sepse gjërat nuk janë si më parë, nuk janë si në vitin 1996, tani të gjitha kompanitë janë moderne, si në Shqipëri, si në Kosovë, si në Maqedoni, si në Serbi. Atëherë pse të mos jemi të gjithë në një nivel?
Është diskutuar dhe në Sarajevë është menduar që protokolli 5 shtesë i CEFTA-s, të firmosej nga drejtorët e doganave të vendeve të rajonit, por akoma ka mbetur në letër. Unë mendoj që deri në fund të 2017-ës , këto dogana të jenë të paktën teorikisht të bashkuara, pastaj praktikisht vjen me kalimin e kohës“, tha Laknori.
Sipas të dhënave zyrtare, shkëmbimet tregtare gjatë vitit të kaluar me vendet e përfshira në marrëveshjen CEFTA kanë qenë me rënie.
Lidhur me këtë problematikë së fundmi në raportin e publikuar nga Komisioni Europian rekomandohet që të thjeshtohen procedurat si dhe të nxitet prodhimi në mënyrë që të krijohen vende të reja pune.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.