Valutat, mjet në luftën tregtare – Kina premton se nuk do të zhvlerësojë juanin për të fituar avantazh
Shtetet e Bashkuara u përpoqën që të vendosin “valutat” si prioritetin e zgjidhjes së luftës tregtare me Kinën, duke vendosur presione ndaj Pekinit që të përshpejtojë reformat ekonomike.
Guvernatori i Bankës Qendrore Yi Gang, premtoi këtë javë që të mbajë juanin të stabilizuar, në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Indonezi. Deklaratat e guvernatorit erdhën paralelisht me thirrjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shmangur zhvlerësimet e valutës për të fituar avantazh tregtar.
“Kina do të vazhdojë të lejojë tregun që të ketë rolin kryesor në kursin e këmbimit. Ne nuk do të angazhohemi në zhvlerësimin e juanit dhe nuk do ta përdorim atë si një mjet për të fituar luftën tregtare”, tha Guvernatori. Sekretari i Thesarit në SHBA, Steven Mnuchin, tha se sipas zyrtarëve kinezë, zhvlerësimi i juanit nuk është në interes të Kinës.
“Ne duam të sigurohemi që zhvlerësimi i juanit nuk po përdoret për qëllime konkurrueshmërie në tregti”, tha Mnuchin. Valuta kineze ka rënë me 8% kundër dollarit amerikan që prej fundit të muajit Prill, duke prekur 6.9 në sesionin e fundit tregtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.