Vijojnë protestat në Iran – Trump mbështet protestuesit, reagon Rouhani
Rojat Revolucionare të Iranit kanë paralajmëruar protestuesit antiqeveritarë se do të përballen me “grusht të hekurt” nëse zemërimi politik vazhdon. Katër ditë demonstrata janë mbajtur në vend në lidhje me standardet në rënie të jetesës, ndërsa sipas televizionit shtetëror, të paktën 12 persona kanë gjetur vdekjen.
Kjo është protesta më e madhe, që nga tubimet e mëdha pro reformave në vitin 2009.
Ndërkohë, në një fjalim në televizion, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, deklaroi se populli ka të drejtë të protestojë, por duhet të shmangin dhunën. Gjithashtu, Rouhani kundërshtoi edhe komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili doli në mbështetje të protestuesve.
Rojat Revolucionare janë një forcë e fuqishme me lidhje me liderin suprem të vendit dhe i dedikohen mbrojtjes së sistemit islamik të vendit. Ministria e Brendshme e Iranit ka paralajmëruar po ashtu publikun se protestuesit do të mbajnë përgjegjësi.
“Ata që dëmtojnë pronën publike, cënojnë rendin dhe shkelin ligjin duhet të jenë përgjegjës për sjelljen e tyre dhe të paguajnë çmimin”, tha një zëdhënës.
Që nga 28 dhjetori, me mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër elitës klerike, që nuk është zgjedhur nga populli dhe kundër politikës së jashtme të Iranit në rajon.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.