Vjen “DAJTI N’FEST 2017”! Jehonë ditës së maleve! (Detajet e programit)
Ditën e nesërme( e diel 10 Dhjetor) zhvillohet një nga aktivitetet më të bukura dimërore “DAJTI N’FEST 2017”. Ky aktivitet organizohet nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë, ku sëbashku me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe EDS Foundation.
“Nxjerrim nga sënduku i kullave malsore doket dhe zakonet, kostumet, rrëfenjat, zejet, veshjet tradicionale të qëndisura me mjeshtëri nga duarartët e zonave të ndryshme e festojmë me mënyra jetese që i binden natyrës, i përulen lartësive, festojmë malin! Prej mëngjesit e deri në perëndim ngrohim atmosferën me muzikë, Dj e valle tipike; mësojmë të gatuajmë sëbashku me artizanët; shijojmë tradicionalen e shohim nga afër zahiretë e mrekullueshme të malit e dimrit.
Shëtisim e sodisim:
-Logun e këngës (këngë, valle, muzikë etj).
-Logun e gatimeve tradicionale (kaçamak, buka e borës, bylmet n’dybek, hirra e tamlit, mishi i rregjun, rakia e mjaltit).
-Logun me Erna & Erza (bimë medicinale, vajra, çajra, aroma).
-Logun e zejeve (avlemend, artizanat, mulli guri).
-Logun Doke dhe Zakone (Marrja e Nuses, Kanga e Krushqve, Oda grave, Oda e Trimave).
-Grigja e dhenve” shkruhet në njoftimin e APR.
Krahas ushqimit e këngëve, pjesë e aktivitetit janë edhe sportet e aventurës si: Gara me biçikleta për profesionistë e amatorë, inagurimi i pistës së Paragliding, Rockclimbing dhe Hiking në shtigjet e virgjëra të Dajtit ku profesionistë do të shoqërojnë të apasionuarit e ecjes në natyrë me anë të aplikacionit TIO.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.