Vlerësimi “AAA’ në SHBA – Fitch: Rrezikohet nëse nuk rritet tavani i borxhit
Agjencia e vlerësimit të kreditit “Fitch Ratings”, bëri të ditur se dështimi i zyrtarëve në SHBA për të rritur tavanin e borxhit federal, do të sjellë një rishikim negativ të vlerësimit sovran të vendit.
Pa patur mundësinë që të shesë më shumë borxh, Qeveria pritet të ketë një tkurrje të parasë, me shumë gjasa në Tetor, dhe mund të përballet me rrezikun e mos pagimit në kohë të interesave dhe principalit.
Një dështim i pagesave të borxhit nga Shtetet e Bashkuara, do të trondisë tregjet në të gjithë botën. Kongresi nuk ka arritur një marrëveshje për të rritur limitin statutor të huamarrjes, që është aktualisht në 19.9 trilionë dollarë, pavarësisht thirrjeve nga
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin për ta bërë këtë. “Politikat e gabuara mbi limitin e borxhit mund të kenë pasoja te vlerësimi i kreditit, pasi dështimi për ta rritur mund të rrezikojë aftësinë e Thesarit për të përmbushur shërbimet e borxhit dhe detyrime të tjera”, shkruan Fitch.
Gjatë debatit të vitit 2011 mbi tavanin e borxhit, Standard & Poor’s hoqi vlerësimin më të lartë për Shtetet e Bashkuara.
Që prej atëherë, agjencia ka mbajtur një gradë prej AA+ për ekonominë më të madhe të botës. Ashtu si Fitch, edhe Moody’s mban vlerësimin më të lartë të kreditit për Shtetet e Bashkuara.
Nëse njëra nga këto do të ndiqte Standard & Poor’s, tregjet financiarë do të pësonin një goditje. Menjëherë pas zhvlerësimit të Standard & Poor’s 6 vite më parë, tregu i titujve të Thesarit pati luhatje, duke çuar yieldet në rënie.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.