Vlerësimi i ofertave – APP ndryshon procedurat, dy udhëzime të reja
Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë së fundmi dy udhëzime të reja në lidhje me mënyrën sesi do të procedohet në vijim për tenderat që do të shpallen në sistem.
Udhëzimi i parë i datës 9 maj 2017 lidhet me veprimet e njësisë së prokurimit në sistem dhe përcakton hapat që do të ndiqen nga institucionet.
“Anëtarët e Njësisë së Prokurimit me anë të një procesverbali me shkrim, duhet të përcaktojnë nëpunësin e autorizuar të njësisë së prokurimit, i cili do kryejë veprimet në Sistemin e Prokurimit Elektronik” thuhet në udhëzim.
Ky nëpunës do të ndjekë më pas gjithë procedurat duke çelur llogarinë dhe fjalëkalimin.
Çdo procedurë e hedhur online duhet që të përmbajë edhe të dhënat nëse tenderi është i hapur, i kufizuar, me negocim apo me shpallje paraprake.
Udhëzimi i dytë fokusohet tek mënyra sesi do të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave duhet të regjistrojnë çdo konstatim të tyre mbi operatorët.
Në rast refuzimi secili anëtar duhet që të japë edhe arsyen, kurse kur ka parregullsi kjo duhet t’i bëhet me dije operatorit ekonomik.
Udhëzimet vijnë në kuadër të ndryshimeve të fundit që i janë bërë sistemit të prokurimit publik.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.