Weidmann kërkon normalizimin: BQE duhet të fillojë të flasë për shtrëngimin
“Banka Qendrore Europiane duhet të fillojë të diskutojë për kohën kur do të fillojë normalizimi i politikave monetare, pasi rritja dhe inflacioni po lëvizin në drejtimin e duhur”, deklaroi kreu i Bundesbank, Jens Weidmann, njëkohësisht anëtar i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane.
Ndër të tjera, ai shtoi se, banka nuk duhet të modifikojë më, programin e blerjes së titujve. Berlini ka qenë vazhdimisht kundër këtij programi, dhe politikave ultra-lehtësuese monetare të Bankës.
Pavarësisht kësaj, Jens Weidmann ka mbajtur një qëndrim korrekt, duke mbështetur linjën e institucionit me bazë në Frankfurt.
Programi i blerjes së titujve, i njohur ndryshe edhe si Bazooka e Mario Draghit, do të vijojë deri në Dhjetor të këtij viti, por Banka Qendrore do të vendosë në vjeshtën e këtij viti, në rast se do ta shtyjë në kohë apo jo këtë program, ashtu siç bëri disa muaj më parë.
“Në këndvështrimin tim, nëse zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe ecuria e çmimeve vijon, ashtu siç edhe pritet, ne duhet të fillojmë të bisedojmë për daljen nga ky program dhe politikat ultra-lehtësuese”, nënvizoi Jens Weidmann.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.