Zgjerimi i Unazës së Re, AP: Hetim cilësor, institucionet përgjegjëse dialog me qytetarët e prekur
Pas situatës së krijuar me banorët e Astirit, të cilët prekën nga zgjerimi i Unazës së Re, ka reaguar Avokati i Popullit. Në njoftimin e publikuar thuhet se “në përputhje me ligjin në bazë të të cilit vepron, Avokati i Popullit ka depozituar edhe kësaj radhe kërkesa për informacion në të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces, si Bashkia e Tiranës, ALUIZNI, ARRSH, IKMT etj”.
Sipas AP çdo veprim duhet të ndërmerret në mirëkuptim me qytetarët e preku dhe në dialog me ta.
“Institucioni i Avokatit të Popullit vëren se është e domosdoshme që jo vetëm çdo veprim i cili cenon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta, por edhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin në çdo rast përpjekje për dialog me synim arritjen në një zgjidhje që nuk lë asnjë qytetar shqiptar të humbasë besimin tek institucionet tona dhe shteti ynë i përbashkët.
Gjithashtu, institucioni e vlerëson si tepër të rëndësishme që asnjë ndërtim të mos nisë nga punimet pa u pajisur fillimisht me lejen përkatëse dhe ky duhet të jetë një standard i cili duhet të vlejë njëlloj si kur zbatohet mbi qytetarët ashtu edhe mbi institucionet shtetërore që ndërmarrin punime publike. Në një shtet të së drejtës, ligji duhet të vlejë për të gjithë njëlloj”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.