1 muaj larg Brexit – Rritet mundësia e daljes pa marrëveshje nga Europa
Mundësitë që Kryeministrja Theresa May të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian janë të pakta, ndërkohë që vetëm 1 muaj ka mbetur nga dalja e Britanisë. Mbretëria e Bashkuar pritet të dalë nga BE më 29 Mars pa marrëveshje, vetëm nëse Theresa May arrin të bindë Brukselin që të rihapë marrëveshjen e divorcit, në mënyrë që t’ia shesë pastaj parlamentit britanik. May i ofroi parlamentit këtë javë mundësinë që të votojnë nëse do të vonojnë Brexit apo do të pranojnë një dalje të ç’rregullt nga Bashkimi Europian.
May tha në Parlament këtë javë se nëse dështon të marrë miratim për marrëveshjen e saj deri më 12 Mars, atëherë deputetët duhet të votojnë më datë 13, për të dalë pa marrëveshje. Nëse ata refuzojnë këtë alternativë, atëherë deputetët do të duhet të votojnë më 14 Mars për një mocion që kërkon “zgjatjen e limituar në kohë” të Brexit. Pasi parlamenti votoi kundër marrëveshjes së May me 432 kundër dhe 202 pro në muajin Janar, Kryeministrja është përpjekur vazhdimisht të përdorë kërcënimin e daljes pa marrëveshje, në mënyrë që të arrijë lehtësime nga Brukseli.
Por, parlamenti britanik shqetësohet se May rrezikon të çojë ekonominë e pestë më të madhe në botë drejt krizës. Për rrjedhojë, ata janë përpjekur të marrin kontrollin nga ajo. Ndërsa kompanitë dhe qeveritë në Europë po përgatiten për daljen pa marrëveshje, Brukseli ka bërë të ditur se Britania përballet me 3 alternativa kryesore: daljen pa marrëveshje, dakordësi në minutën e fundit apo vonimin e Brexit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.