105-vjetori i Pavarësisë – Veliaj ngre flamurin në Tiranë: Shqiptarët të ecin përpara

Nën tingujt e Himnit Kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ngritur në mënyrë simbolike Flamurin Kuq e Zi, në sheshin Skënderbej me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë mesazhit të urimit, Veliaj tha se 28 Nëntori është një ditë ku shqiptarët duhet të shohin e të ecin përpara.
“Kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Është një ditë e shenjtë për të gjithë ne, një moment për të kujtuar sesa shumë rrugë kemi bërë që nga ajo ditë e largët 105 vjet më parë, kur baballarët e kombit shpallën Pavarësinë e Shqipërisë tonë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i një lufte dhe i një përpjekje të gjatë për të themeluar shtetin tonë shqiptar. Por në fakt nuk ishte fundi i rrugës. Baballarët e kombit që ngritën atë ditë flamurin në Vlorë, patriotët që ngritën flamurin e Shqipërisë në të gjithë qytetet kryesore e dinin këtë shumë mirë. 28 Nëntori ishte vetëm fillimi i një sfide akoma të vështirë për ta marrë atë vend të shkatërruar nga lufta, pushtimet e për të ndërtuar një shtet modern evropian”, tha ai.
Gjithashtu, ai shtoi se, ndërsa të parët tanë, ata që punuan dhe luftuan për ngritjen e flamurit apo edhe për çlirimin e vendit nga të gjithë pushtuesit, sakrifikuan deri edhe jetën e tyre, për ekzistencën e Shqipërisë, brezit të sotëm i lind detyrimi për ndërtimin dhe prosperitetin e saj. “Kur mendojmë sot për të ardhmen, na duhet ta kuptojmë që jemi ne, të gjithë ne që jemi këtu e ata që na ndjekin, njerëz të thjeshtë të këtij vendi që do ta ndërtojmë së bashku projektin Shqipëria. Siç e kemi treguar këtu në Tiranë me ato dhjetëra e dhjetëra projekte ku biznese, komunitete fetare, organizata të shoqërisë civile, fëmijë, të rinj, burra e gra e të moshuar kanë kontribuar secili brenda mundësive të tij apo të saj, për ta bërë qytetin pak më të mirë sot seç ishte dje e pak më të mirë nesër se ç’ishte sot. Falë Zotit ne jetojmë në një kohë krejt të ndryshme nga ajo e 1912, kur nuk na duhet të përballemi me sfida e vështirësi të nivelit të atyre që u përballën ata burra e gra 105 vjet më parë. Por kjo nuk e bën punën që na pret, për të hedhur hapin tjetër në projektin e ndërtimit të Shqipërisë, më pak të rëndësishme”, u shpreh Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka përgatitur një axhendë aktivitetesh me rastin e festave të 28-29 nëntorit dhe sikurse është bërë traditë, ato do të kulmohen me Natën e Bardhë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.