Nafta zgjeron humbjet – OPEC dhe tubacioni Keystone rrëzojnë çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, për shkak se investitorët po presin takimin e OPEC, ditën e enjte, që do të vendosë politikat e naftës për vitin e ardhshëm. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.6 dollarë për fuçi.
Anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesit e tjerë, duke përfshirë Rusinë do të takohen më 30 nëntor, për të vendosur nëse do të shtyjnë ose jo, marrëveshjen për uljen e prodhimit, që deri më tani ka balancuar tregun. Analistët presin se, OPEC do të vendosë të shtyjë marrëveshjen me të paktën 6 muaj, por ekzistojnë edhe paqartësi. Goldman Sachs shprehet se, ka shumë paqartësi në lidhje me këtë takim, që mund të përbëjnë edhe rreziqe për tregun.
Ekonomia ruse u ndikua negativisht, gjatë tetorit, nga ulja e prodhimit të naftës, pasi Moska zyrtare ka rënë dakord të ulë prodhimin me 300 mijë fuçi në ditë. Por, në anën tjetër Arabia Saudite, anëtari më i rëndësishëm i OPEC, po lobon për të shtyrë marrëveshjen.
Gjithashtu, rënia e çmimeve është ndikuar edhe nga mundësitë që tubacioni Keystone, që transporton naftë nga Kanadaja drejt SHBA, të rifillojë punën, duke i shtuar tregut amerikan 590 mijë fuçi, që kanë munguar deri më tani.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.