135.5 mln euro për energjinë – Bilanci korrik-dhjetor, thatësira “shkatërron” financat e OSHEE
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka siguruar sasinë e kërkuar të energjisë për muajin dhjetor, ndërkohë që shuma e shpenzuar kap vlerën 27.8 milion euro. Referuar raportit të OSHEE, çmimi me të cilin kompania ka siguruar sasinë më të madhe është dukshëm më i lartë se ai i një muaji më parë, duke qenë se mbi 222 000 mwh janë blerë më një çmim prej 93.36 euro, nga 75.98 euro që u pagua për muajin nëntor.
Thatësira e tejzgjatur si dhe rritja e konsumit për shkak të stinës së dimrit detyruan operatorin e shpërndarjes të rrisë kërkesën për muajin e fundit të vitit, ndërkohë që kjo u shoqërua edhe me një nga faturat më të shtrenjta për këtë vit.
Ndërkaq, që prej muajit korrik vlera e shpenzuar për blerje energjie vetëm nga Operatori i Shpërndarjes arrin në 107.7 milion euro. Ndërkohë që, nëse shtojmë edhe shpenzimet për dhjetorin atëherë fatura shkon në 135.5 milion euro.
Deri më tani Këshilli i Ministrave ka bërë 2 ”lëvizje” financiare për të përballuar krizën energjetike, duke akorduar 3 miliard lekë shtesë nga buxheti i shtetit si dhe duke aprovuar një hua prej 1 miliard lekësh për blerjet e nëntorit dhe dhjetorit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.