14 qendra shëndetësore do të rindërtohen në Tiranë – Manastirliu: Brenda vitit, nisin edhe 2 projekte madhore në QSUT
Klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive në Tiranë si dhe qendra shëndetësore numër 4 në Njësinë 9 do të rindërtohen brenda këtij viti. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë turit të llogaridhënies në Njësinë 9 në kryeqytet, ku është njëkohësisht edhe deputete e zonës.
Sipas ministres, në kryeqytet do të rindërtohen gjithsej 14 qendra shëndetësore brenda vitit 2018 në kuadër të projektit të qeverisë për rehabilitimin qendrave shëndetësore.
Ndërkohë, Manastirliu vuri theksin edhe te investimi në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, që përfshin 2 projekte të cilat do të nisin brenda këtij viti.
“Dy projekte madhore nisin këtë vit në QSUT. Ndërtimi i spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme që do të zëvendësojë 6-katëshin ekzistues si dhe ndërtimi dhe pajisja e dy kateve të kirurgjisë së përgjithshme”, tha Manastirliu.
Projekti parashikon ndërtimin e spitalit të ri nga themelet brenda ambienteve të QSUT, ku do të përqendrohen të gjitha repartet e sëmundjeve të brendshme si dhe do të bëjë bashkë shërbimin e mjekësisë interne, alergologjisë që së bashku me shërbimet ekzistuese, do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve interne.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.