18 mijë kredi të këqija në ekzekutim – Zbatimi i legjislacionit të ri nis të japë rezultate

Deri në vitin 2016 bankat i janë drejtuar në 18 mijë raste përmbaruesve gjyqësore privatë për ekzekutimin e kredive me problem. E dhëna vjen përmes një analize të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, sipas së cilës aktualisht kërkesa për ekzekutime nga ana e bankave është mbi 20 mijë.
Problemet në legjislacion kanë mbajtur prej vitesh të ngrira ekzekutimin e një numri kaq të madh kredish me probleme, por duket se situata ka nisur të ndryshojë me ndryshimet në legjislacionin përkatës.
Një trend i tillë nënvizohet edhe nga analizat zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Raporti i kredive me probleme në muajin maj preku nivelin më të ulët të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kreditë me probleme përbënin 15.9% të totalit, nga 16.6% që kishin qenë në fund të prillit.
Ndërsa, të dhënat më të fundit nga Banka Qendrore tregojnë se ky nivel në muajin qershor arriti në 15,58%. Kreditë me probleme nuk zbrisnin poshtë kufirit të 16% që nga maji i vitit 2011.
Përpjekjet dhe masat e viteve të fundit më në fund të japin rezultate të qëndrueshme në uljen e nivelit të kredive me probleme.
Masa me peshën kryesore ka qenë ajo për pastrimin e bilanceve nga kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.
Megjithatë, sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, një efekt pozitiv kanë pasur edhe ristrukturimet e kredive si edhe përmirësimet në procesin e ekzekutimit të kolateralit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.