2017, eksportet u rritën me 12.1% të udhëhequra nga fasoneria – Deficiti tregtar u thellua me 17 miliardë lekë

Shqipëria gjatë vitit që lamë pas arriti të rriste ndjeshëm volumin e eksporteve të mallrave në vlerën 273 miliardë lekë. Kjo shifër shënon një rritje prej 12.1% në raport me vitin 2016.
Megjithatë, rritja e importeve e ka tejkaluar në vlerë performancën pozitive të eksporteve, duke rritur në këtë mënyrë deficitin tregtar të Shqipërisë. Ky deficit regjistroi vlerën e 353 miliardë lekëve, rreth 17.3 miliardë lekë më tepër se një vit më parë.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve, meritë kryesore për rritjen ka grupi i “Tekstileve dhe këpucëve”, me rritje prej 4,6%. Po ashtu, një ndikim pozitiv kanë dhënë edhe grupet “Ushqime, pije, duhan” me 1.9%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1.8%, si edhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1.5%.
Sakaq, kriza e industrisë nxjerrëse është reflektuar edhe në volumin e tregtisë dhe grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, ka kontribuar i vetëm në uljen me 10.5% të eksporteve.
Po në këtë sektor ka patur edhe një rritje të ndjeshme të importeve, kryesisht në sektorin e energjetikës. Nga viti në vit, importet në këtë grup janë rritur me 16.1 miliardë lekë.
Në total, importet e mallrave drejt Shqipërisë arritën vlerën 626 miliardë lekë, duke u rritur me 5,2% krahasuar me 2016.
Partneri kryesor tregtar mbeti Italia me 36,2% të shkëmbimeve, ndërsa Greqia dhe Gjermania kanë arritur një barazim në 6,8%, ndjekur nga Kina me 6,4%.
Në raport me vendet e Bashkimit Europian, vendi ynë arriti të reduktojë deficitin tregtar me mbi 1.1 miliard lekë, por rritja e importeve nga Turqia dhe Zvicra kanë rënduar në bilancin final të deficitit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.