2021, Smartphone-t më shumë internet, më pak telefoni – AKEP: 1.35 miliardë minuta thirrje dalëse, 140 milionë sms, 8.5% më pak se një vit më parë

Përdorimi në rritje i shërbimeve të internetit përmes smartphone-ve po pakëson vazhdimisht konsumin e shërbimeve telefonike të telefonisë celulare. Rënie të fortë kanë shënuar gjatë vitit 2021 si totali i thirrjeve dalëse të përdoruesve të telefonisë celulare, ashtu si dhe numri i mesazheve.
Nga të dhënat zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare rezulton se rezulton se totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T4 2021 ishte rreth 1.35 miliardë minuta, me një rënie prej 8.4% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 3.4% me T4 2020.
Po ashtu, sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) pësoi rënie me 8.3% në krahasim me T3 2021 dhe rënie me 4.7% në krahasim me një vit më parë në T4 2020;
Ndërkaq, numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T4 2021 ishte rreth 140 milion që përbën një rënie me 0.9% krahasuar me T3 2021 dhe një rënie me 8.5% me T4 2020;
Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T4 2021 ishte: 173 minuta dalëse, 18 SMS dhe 6.8 GB Internet. Krahasuar me T3 2021, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 6.7%, konsumi mesatar i SMS-ve pati një rritje me 0.9% dhe konsumi mesatar i internetit pësoi rënie me 1.9%.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.