299 milion euro u shpenzuan për gratë dhe vajzat – Buxhetimi gjinor/ Si u shpërndanë fondet, kryeson siguria publike
Vitin që lam pas, 34 programe buxhetore nga rreth 75 programe buxhetore të ministrive të linjës ose rreth 130 programe në total, buxhetuan dhe shpenzuan fonde nga arka e shtetit për promovimin apo ruajtjen e barazisë gjinore në fusha të ndryshme të sferës publike. Vlera totale që është shpenzuar në këtë drejtim, regjistrohet në 36 miliardë lekë apo 299 milion euro. Referuar raportit të perfomancës për vitin 2020 të publikuar së fundmi nga Ministria e Financave, “Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor”, rezulton se rreth 710.691 gra dhe vajza kanë përfituar nga shpenzimi i vlerës prej 36 miliardë lekë për realizimin e shërbimeve publike.
Nga këto, numri më i madhi përfitueseve, rreth 313 mijë ose 44% e totalit të femrave që kanë përfituar nga shërbimet publike të financuara me këto fonde, i përkasin grave dhe vajzave që bëjnë pjesë në strukturat e policisë së shtetit dhe ato të cilat kanë përfituar në mënyrë direkte nga shërbimet e ofruara prej strukturave të Policisë.
32% e totalit ose afro 224 mijë gra dhe vajza, punonjëse dhe ndjekëse të niveleve të ndryshme arsimore kanë përfituar nga shpenzimi i 51% të fondeve publike të targetuara për këtë gjini. 33% e fondeve publike që targetojnë gratë dhe vajzat janë shpenzuar për të ofruar shërbime publike shëndetësore dhe të mbrojtjes sociale për 145 mijë femra, ose 20% të totalit të përfitueseve. Mbi 20 mijë ose 3% i grave dhe vajzave kanë përfituar nga shpenzimi i 11% të fondeve publike të përdorura strehim social, politik atë punësimit dhe mbështetjes së tregut apo arsimit profesional. Ndërsa në sektorin e bujqësisë numri i përfituesve ka qenë afro 1500.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.