31 ton kafe më shumë – 5-mujori, rritja e çmimit nuk ndikoi te sasia e importuar

Shumë prej shqiptarëve e nisin mëngjesin apo punën me një filxhan kafeje në dorë. Ndërkohë kafeja është një ndër produktet kryesore që importohet dhe tatohet me akcizë.
Gjatë ditëve të fundit ka patur një debat publik mbi nivelin e shitjes së mallrave me akcizë, nivelin e mbledhjes së kësaj takse, si dhe favorizimin e kompanive.
Pas interesimit të TV SCAN, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave na ofroi të dhënat mbi sasinë e mallrave që paguajnë akcizë.
Sipas këtij informacioni, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për të analizuar produktin e kafesë përdor analizën e konsumit, që lidhet direkt me pagesën e akcizës në momentin e hedhjes në qarkullim, kjo nga importi ose nga daljet e magazinave fiskale.
Po të analizojmë të dhënat, rezulton që konsumi i këtij produkti për 5-mujorin 2017 është konform parametrave, po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2016, madje me një rritje prej 31 ton, thuhet në sqarimin e Doganave.
Kështu, për 5-mujorin e parë të vitit 2017, sasia e hedhur për konsum është 3120 ton, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte në masën 3089 ton.
Vetëm pak kohë më parë, administrata doganore njoftoi gjithashtu kompanitë për ndryshimet e çmimeve të kafesë në tregjet ndërkombëtare, ku sipas tyre, çmimet e bursës për produktin e kafes, krahasuar me 5-mujorin e vitit 2016 kanë qenë më të larta, sidomos në muajt e parë të vitit.
Ndërkohë të ardhurat nga taksa e akcizës në buxhetin e shtetit janë rritur këtë vit.
Në Shqipëri importohen disa lloj kafesh, si kafe e pjekur e papjekur, e dekafeinuar , etj.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.