6 arsye pse Nokia i ri 3310 është tërheqës
Nëse keni zotëruar dikur Nokia 3310-ën origjinale, me shumë siguri do të ishit të lumtur t’I ktheheshit edhe modelit të ri. Një gjë është e qartë ama: nuk do të zëvendësojë iPhone-in, Samsungun apo çfarëdo tjetër smartphone-i që keni.
Pa 3G, pa Wi-Fi, pa aplikacione dhe pa ekran me prekje, nuk ka asnjë shans që 3310 t’ju mbajë të lidhur me jetën e tanishme moderne ku duhet të jesh i ndërlidhur në çdo çast.
Megjithatë ka dy pika shumë të forta: çmimin e lirë dhe baterinë që zgjat një muaj. Ja të gjitha arsyet pse do të donit përsëri një 3310:
- Ka një jetëgjatësi të baterisë të jashtëzakonshme
Pa opsionet moderne për ta konsumuar, jeta e baterisë së 3310-ës është e pabesueshme. Nokia thotë se mund të zgjasë deri në një muaj me vetëm një karikim. Ndonëse kjo mund të vlejë nëse thjesht rri ndezur, është e garantuar që do të zgjasë disa ditë duke bërë foto, duke dëgjuar muzikë dhe duke luajtur Snake.
Kjo veçori të hyn në punë sidomos nëse je në udhëtim, apo në ndonjë festival dhe nuk e di se kur do të kesh kohë të karikosh celularin.
- Është i lirë
Çmimi fillestar është prej 7500 lekësh, dhe është shumë më i lirë se çdo celular tjetër që ofron veçori të ngjashme. Edhe nëse e humbet, është i thjeshtë për t’u zëvendësuar. Sidomos nëse e krahasojmë me koston që do të kishte zëvendësimi i një iPhone 7.
- Nuk ka nevojë për mbrojtëse
Me një trup të përbërë nga plastikë e fortë dhe pa ndonjë ekran të madh prej xhami, Nokia 3310 mund të marrë disa goditje pa asnjë dëm. Mund t’ju bjerë në tokë nga xhepi, nga tavolina, madje nëse jeni me fat edhe nga ndonjë lartësi më e madhe dhe do të shpëtoni vetëm me disa gërvishtje.
- Nostalgjia
3310 origjinal ishte shndërruar në një ikonë të historisë së celularëve në vitet 2000. Thjesht duke e parë do t’ju vijnë kujtime të vjetra.
- Është shumë i mirë për fëmijët
Është mjaft i lirë dhe nuk do të merakoseni nëse fëmijët e humbasin. Është e sigurt që nuk do të paguani për të zëvendësuar ekranin e thyer dhe duke qenë se interneti dhe aplikacionet janë të limituara, fëmijët tuaj do të jenë tërësisht të mbrojtur nga rreziqet. E vetmja gjë që mund t’i shpërqëndrojë është arsyeja e fundit…
- Snake
Loja klasike me gjarprin tashmë vjen me ngjyra. Në versionin origjinal ishte bardhë e zi, por mbetet përsëri Snake. Orë të tëra argëtimi janë të siguruara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.