A jeni të siguruar? Tatimet: Si të verifikoni deklarimin nga punëdhënësi juaj
Nëse jeni i punësuar dhe keni pasiguri nëse punëdhënësi juaj ju ka paguar kontributet e sigurimeve, Administrata Tatimore e Kosovës ju vjen në ndihmë nëpërmjet aplikacionit “Vërtetimi tatimor”, ku ju mund të verifikoni deklarimin nga punëdhënësi juaj.
Të punësuarit, përmes ueb-faqes së ATK-së www.atk-ks.org , iu mundësohet verifikimi i deklarimit të tij si i punësuar, nga punëdhënësi i tij, pa pasur nevojë të paraqitet fizikisht në sportelet e Shërbimit të Tatimpaguesve.
Për të bërë verifikimin e tillë, i punësuari, përmes ueb faqes së ATK-së klikon në linkun “Vërtetimi tatimor”, zgjedh shërbimin “Punëdhënësi”. Më pas zgjedh vitin për të cilin dëshiron të verifikoj gjendjen, shfaqen informatat si në vijim: periudha, emri i punëdhënësit, deklarimi i tatimit, deklarimi i kontributit pensional dhe përzgjedhja si punëdhënës primar apo sekondar.
I punësuari, i cili pas verifikimit të gjendjes së tij përmes këtij ueb-aplikacioni, konsideron se informatat e pranuara nuk janë të sakta me gjendjen e tij reale se në cilën periudhë tatimore ka punuar dhe është paguar nga punëdhënësi, mund të kontaktoj Administratën Tatimore, për procedurat e mëtejshme.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.