A ka ndryshuar kontrata e Milot-Balldren? Reagon ministria e Infrastrukturës
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaron se nuk ka asnjë ndryshim në kontratën koncesionare për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldre.
Sipas ministrisë, procesi i miratimit të një akti nënligjor, siç është VKM-ja për propozimin e projektligjit për miratimin e kontratës së Koncesionit/PPP kalon në sistemin elektronik e-akte, i cila pamundëson modifikimin e përmbajtjes së vetë aktit të propozuar nga Institucioni iniciues, që në këtë rast është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Gjithashtu sqarojmë se shtojca 6 e kontratës së sipërpërmendur përmban Modelin Financiar që përmbledh:
-Propozimin financiar të paraqitur në Procedurën konkurruese nga ofertuesi fitues;
-Deklaratën e shoqërisë “A.N.K” sh.p.k. (ofertuesi fitues) lidhur me ofertën teknike dhe ekonomike;
-Propozimin e ri financiar, në përputhje me Deklaratën e shoqërisë. Për sa më sipër, pikërisht zëri “Financime nga furnitorët” në shumën 19,500,000 Euro është i shpërndarë në vite në të njëjtën mënyrë dhe kushte, dhe më konkretisht: vitin e parë 2,500,000 Euro; vitin e dytë – 3,000,000 Euro, vitin e tretë – 7,000,000 Euro dhe vitin e katërt 7,000,000 Euro” shkruhet në njoftimin e ministrisë.
Më tej, ministria shprehet se ky zë është i njëjtë në të dy propozimet financiare, qoftë në kohën e paraqitur në fazën e procedurës konkuruese dhe në propozimin e ri financiar bazuar në deklaratën e shoqërisë.
Ky sqarim i ministrisë vjen në kohë kur Kuvendi ka rrëzuar dekretet e kreut të shtetit lidhur me projektet e koncesionit për akset Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren.
Para votimit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një deklaratë për mediat u bëri apel deputetëve që të mos i hapin rrugë konkretizimit të këtyre kontratave koncesionare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.