A mundet koalicioni i ri i Italisë të pengohet nga kontrolli i Salvinit në parlament?
Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte tha të Dielën se priste të përfundonte bisedimet për një qeveri të re brenda ditës së mërkurë, pasi Lëvizja 5Yje dhe Partia Demokratike (PD) kishin zhvilluar bisedime intensive gjatë fundjavës për të provuar dhe punuar për një marrëveshje dhe për të vendosur mbi vendet në kabinet.
Conte e përshkroi “gjendjen politike” midis 5Yjeve dhe PD si “të mirë”. “Do të jetë e Marta, ose e Mërkura më së voni”, tha ai në një video-intervistë gjatë një konference të organizuar nga gazeta Il Fatto Quotidiano, kur u pyet kur do t’i raportonte përsëri Presidentit Italian Sergio Mattarella me një program për qeverinë e re. “Natyrisht që kam besim në një përfundim pozitiv.” ai shtoi.
Nëse PD dhe 5Yjet nuk janë në gjendje të nënshkruajnë një marrëveshje brenda kësaj jave, Mattarella pritet të shpërndajë parlamentin dhe të caktojë një datë për një votim të ri. Shifrat e larta nga të dy palët kanë folur pozitivisht për koalicionin e mundshëm. “Unë e di se është e vështirë, por ne po bëjmë çmos t’i japim këtij vendi një qeveri të re,” tha kreu i PD, Nicola Zingaretti të Dielën në një postim video në Twitter.
Edhe nëse Lëvizja 5Yje e Italisë mund të krijojë një qeveri të re koalicioni me PD, fuqia e saj mund të frenohet nga Lidhja e Matteo Salvinit e cila mban kontrollin e 11 komiteteve legjislative të fuqishme deri në pranverën e ardhshme. (Euronews)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.