Abonetë e studentit – Dume: Në tetor me të njëjtin çmim nuk ka abuzime
Abonetë e studentit do të shiten me të njëjtin çmim prej 600 lekësh edhe për vitin e ardhshëm akademik. Në një intervistë për televizionin SCAN, drejtoresha e shërbimeve studentore Ornela Dume sqaroi se nuk ka një urdhër për ndryshim të çmimit nga Bashkia e Tiranës, duke bërë të ditur për studentët se shpërndarja e aboneve do të rifillojë në muajin tetor, atëherë kur nis edhe viti akademik.
“Është një çmim i vendosur nga Bashkia e Tiranës dhe nuk ndryshon. Muajt që nuk ofrohet aboneja është Gushti dhe Shtatori pasi supozohet se studentët në këto dy muaj nuk jetojnë në Qytetin Studenti dhe nuk ka kërkesa nga vetë ana e studentëve”, u shpreh Dume.
Dume u përgjigj lidhur dhe me akuzat për abuzimet me abonetë e studentit dhe shitjen e tyre në rrugë. Sipas drejtoreshës së shërbimeve Studentore, abonetë vijnë për aq studentë sa bëjnë kërkesën dhe kjo sipas Dumes nuk lë vend për të abuzuar.
“Numri i aboneve është një numër që varet nga kërkesat e studentëve, lista me emrat e studentëve shpallet në fund fare dhe çdo student mund të shikojë se kush e ka marrë abonenë, pra kujt i është ofruar. Ne këtë listë, përpara marrjes së aboneve dhe shpërndarjes së tyre, e verifikojmë në databazën tonë për të shmangur edhe për të mbyllur çdo hapësirë abuzive për të shitur abone dikujt tjetër që nuk është pjesë e akomodimit në Qytetin Studenti”, shtoi Dume.
Një student për të përfituar abonenë duhet të ndjekë disa hapa ku çdo fund muaji duhet të paraqitet në Drejtorinë e Rezidencës së Konvikteve për të bërë kërkesën. Më pas studenti duhet të paraqesë një fotografi dhe pagesën prej 600 lekësh. Pas kësaj procedure administratorët e konvikteve në datën 1 të çdo muaji, i dorëzojnë studentëve që kanë bërë kërkesën abonetë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.