Administrimi i burimeve ujore – Ngrihet agjencia menaxhuese, problem puset pa leje
Burimet ujore në vend tashmë do të administrohen nga një agjenci e vetme, e ngritur posaçërisht për këtë qëllim, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka diskutuar projektligjin i cili bën një ndarje të qartë kompetencash për administrimin e ujërave, që do të sjellë shmangie të mbivendosjes së përgjegjësive midis organeve kompetente. Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë bënë me dije se aktualisht ka një database të burimeve ujore në vend, por problem vijojnë të jenë puset pa leje.
“Deri tani janë identifikuar burime që prej 0.1litra/sek deri në ata me metër kub/sek. Problem na ngelen puset pa leje. Që do të thotë se Shqipëria në këtë gjendje nuk bën dot bilancin e ujerave të nëntokës derisa neve të jemi në gjendje ose ky institucion i ri i cili do ta ketë një nga detyrat e veta kryesore identifikimin e përdorimit të ujit në mënyrë ilegale.”
Projektligji saktëson gjithashtu edhe procedurën se si duhet vepruar në rastin e aplikimit për koncesione në këtë fushë, ku më parë duhet marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Ujit.
“Aplikanti ose kërkuesi i koncesionit qoftë i kërkuar apo i pakërkuar, ka dorëzuar një aplikim dhe përballë ka shtetin. Ai nuk do t’ia dijë është agjenci, këshill, drejtori, sektor i ujit. Ai e ka dorëzuar te shteti dhe këto punë të tjera duhet t’i bëjë shteti brenda vetes vet dhe s’ka pse ai të aplikojë në avancë sepse ne e dimë në Shqipëri aplikim do të thotë kontakt fizik, kontakt fizik do të thotë ryshfet dhe korrupsion.”
“Përpara se të iniciojë një procedurë koncesioni, duhet të marrë miratimin në parim nga Këshilli Kombëtar i Ujit. Çfarë nënkupton kjo? Që nuk ia lëmë në derë aplikantit që mund të sjellë një propozim të pakërkuar që të shkojë dhe të kërkojë miratimin, pra që të krijohet edhe ai kontakti fizik institucional që iu iu referuat, por është përgjegjësia e Autoritetit Kontraktor që ta marrë propozimin e pakërkuar apo rasti kur është propozim i kërkuar, ta analizojë dhe ta bashkërendojë më institucionet dhe me organet përgjegjëse në mënyrë që të shmanget ajo që unë referova më përpara që ndryshe të disponojë një institucion dhe ndryshe të disponojë një institucion tjetër një fazë të caktuar proceduriale që mund të krijojë pasoja dhe institucionalisht për organet, por edhe për palën e tretë e cila mund të ketë një lloj interesi ekonomik për të zhvilluar një investim të caktuar, në një fushë të caktuar.”
Asnjë prej ministrive aktuale nuk ka brenda fushës së përgjegjësisë menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Politikat për menaxhimin e integruar të burimeve ujore do të jenë në kompetencë të plotë të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, institucion ky që do të pësojë ndryshime.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.