Aeroporti i Vlorës, Gjiknuri: Do ndërtohet me çdolloj mënyre. Aeroporti i Kukësit dhe Sarandës, investim tërësisht privat

Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet edhe nëse nuk përfundojnë negociatat me konsorciumin turk. Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri deklaroi se ky aeroport do të ndërtohet me çdolloj mënyre, edhe duke përfshirë financimin nga buxheti i shtetit.
“Jemi në negociata për Aeroportin e Vlorës, të cilin nëse ne nuk e përfundojmë këto negociata në kohën e duhur, shumë shpejt, ne do të tentojmë çdolloj mënyrë, përfshirë edhe skemën nga buxheti i shtetit për ta bërë të mundur këtë aeroport.
Janë parashikuar të gjitha hapësirat buxhetore nga ministria e Financave që të mbulohen brenda limiteve që na lejon hapësira për financimin e Partneriteteve Publik Privat të kemi mundësi ta bëjmë këtë aeroport vetë. Sepse e ardhmja e turizmit shqiptar nuk mund të mbahet peng nga mungesa e një aeroporti. Ndryshe ne nuk do të kemi turizëm pa bërë një aeroport në Vlorë. Çdo gjë tjetër është një iluzion. Shqipëria nuk mund të ketë turizëm në 1 apo dy muaj, Shqipërisë i duhet patjetër një aeroport në Vlorë në mënyrë që të aksesohet një pjesë e territorit të jugut sidomos zonat që kanë potenciale të mëdha turistike.”
Gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ministri Gjiknuri u ndal edhe te dy projekte të tjera, Aeroporti i Sarandës dhe i Kukësit, të cilët do të jenë investim tërësisht privat.
“Të njëjtën gjë po shikojmë për Sarandën, e cila do të jetë një projekt jo me buxhet shteti, por jemi të gatshëm me partneritet privat, me investim tërësisht privat të mundësohet edhe aty një aeroport turistik.
Dikush do të thotë po si ka mundësi dy aeroporte në jug? Jo. Nga studimet e fizibilitetit mundësohet dhe një projekt turistik në Sarandë, pra një aeroport sepse Korfuzi është i mbingopur dhe sepse nga porti i Sarandës kanë hyrë mbi 600 mijë qytetarë. Do të thotë që ka një fluks të madh njerëzish që lëvizin në drejtim të Sarandës. Saranda ka dhe kapacitete akomoduese më shumë se çdo vend tjetër i Shqipërisë, dhe kjo krijon situatën e nevojshme për të krijuar një model biznesi, i cili mund të jetë ekonomik.
Gjithashtu ne kemi hapur garën për aeroportin e Kukësit, i cili edhe ky do të jetë një investim tërësisht privat. Pra koncesionohet aeroporti i Kukësit me shpresë që të ky të përdoret nga linjat me kosto të ulët dhe sipas disa studimeve paraprake të fizibilitetit ka interes qoftë nga ana e Kosovës qoftë nga pjesa veriore e Shqipërisë, sidomos për disa destinacione si Zvicra, Britania e Madhe, dhe disa shtete të tjera ku ka edhe një përqendrim me origjinë nga këto vende”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.