Risitë e buxhetit të shëndetësisë – Fond për çekun e bebeve 2 mld lekë, rritje pagash për mjekët me 7%

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale është rritur me rreth 5% krahasuar me një vit më parë sipas ministres Ogerta Manastirliu. Por ky përfundim nuk është i saktë pasi ministrja i është referuar vlerës mbi 75 miliardë lekë për buxhetin e 2019 duke përfshirë këtu mbi 13 miliardë lekë që vijnë nga kontributet shëndetësore.
Buxheti faktik për ministrinë në fjalë për vitin që vjen është mbi 60.8 miliardë lekë ndërsa në vitin 2018 ky buxhet ishte në mbi 60.1 miliardë lekë.
Për herë të parë në buxhetin e shëndetësisë është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë i cili do të përdoret për çekun e bebeve, ndërkohë që ky buxhet parashikon edhe rritje të pagës me 7% për bluzat e bardha me një fond prej një miliard lekë.
Buxheti parashikon dhe rehabilitimin e 100 qendrave shëndetësore gjatë 2019 me një vlerë financiare prej 300 milionë lekë. Gjatë vitit që vjen do të përfundojë edhe spitali i kirurgjisë me një investim prej 8 milionë euro.
Ndërsa referuar mbështetjes sociale për herë të parë do të krijohet fondi social prej 150 milionë lekë si dhe do të mbështeten ndërmarrjet sociale me një vlerë prej 200 milionë lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.