Ahmetaj komenton raportin e BE: Vendi po përjeton një kthesë pozitive në ekonomi. Me rëndësi pasja e një sistemi efektiv gjyqësor
Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj ka reaguar përmes një statusi në “Facebook” për raportin e Bashkimit Europain mbi vlerësimin për ekonominë shqiptare. Në këto postim Ahmetaj shkruan se Bashkimi Europian, në kuadër të dialogut vjetor me vendet e rajonit për politikat ka vlerësuar me nota tejet pozitive arritjet e deritanishme të ekonomisë shqiptare dhe projeksionet tona në kuadër të Programit të Reformave Ekonomike 2017-2019.
“E nisëm rrugën e ringritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal nga pika më e ulët e 25 viteve të fundit dhe kaluam jo pak mundime për te arritur këtu ku jemi sot, kur më në fund ekonomia po shpërblen dita ditës qytetaret, falë rritjes ekonomike, pa borxh të ri, përkundrazi me ulje të tij, me të ardhurave të rritura për here të parë në 25 vjet në një vit elektoral parlamentar dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, që na mundësuan avancimin e reformave të thella transformuese për vendin”
Duke komentuar më tej raportin e BE mbi vlerësimin e ekonomisë shqiptare, Ahmetaj shkruan se: “Vendi po përjeton një kthesë pozitive ekonomike që pritet të vazhdojë edhe në 2017. Konsolidimi fiskal ka reduktuar deficitin buxhetor, duke arritur në 2016 nivelin më të ulët në shumë e shumë vite, ndërsa masat rregulluese fiskale të planifikuara përgjatë tre viteve të ardhshme, do të jenë të mjaftueshme për të vazhduar uljen e borxhit publik” – vlerëson raporti, që e vendos sërish theksin tek rëndësia e pasjes së një sistemi gjyqësor efektiv dhe të drejtë, mungesa e të cilit shihet si një nga pengesat kryesore strukturore për rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e vendit”.
Sipas ish ministrit të Financave, Bashkimi Europian rekomandon vazhdimin e masave për uljen e borxhit publik; vazhdimin e përpjekjeve të bëra deri tani dhe rezultateve të dukshme në rritjen e të ardhurave; vazhdimin e implementimit të strategjisë sonë për uljen e nivelit të kredive me probleme; vazhdimin e punës së nisur në sektorin energjetik; vazhdimin e procesit të shpërndarjes së certifikatave të tokës dhe legalizimeve të pronave; vazhdimin e përmirësimit të tregut të punës.
“Vazhdimi” është rekomandimi kryesor i BE dhe të gjithë miqve e partnerëve të Shqipërisë. Prandaj është e rëndësishme të mos ndalemi tani. Prandaj është e domosdoshme të vazhdojmë rrugën e nisur për të ndërtuar Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie; rrugën që përshkuam së bashku në këto katër vite e të cilën, së bashku do të vazhdojmë ta përshkojmë edhe në të paktën këto katër që vijnë”, shkruan Arben Ahmetaj.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.