Aksionet për abuzimet me ujin e pijshëm – 14,535 raste prej ditës së parë

Task-Forca për ujin e pijshëm vijon aksionin për monitorimin e situatës dhe prerjen e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet dhe vetëm në ditët e fundit ka arritur të verifikojë 790 raste shtesë të abuzimeve.
Pas verifikimit të këtyre shkeljeve speicalistët kanë ndërprerë 189 lidhje të paligjshme të ujit, të cilat ishin të kryera kryesisht në zonat periferike të Tiranës. Këto subjekte janë gjobitur edhe sipas ligjit, ndërsa shkeljet penale janë denoncuar në organet përkatëse.
Që prej fillimit të aksionit, Task-Forca ka verifikuar 14535 raste, duke ndërprerë 2601 lidhje të paligjshme dhe gjobitur 299 abonentë.
Krahas prerjes së lidhjeve, është punuar edhe për lidhjen e kontratave të rregullta me UKT për individët të cilët furnizoheshin jashtë kontrollit të rrjetit. Në dy ditët e fundit, kontratat e reja të nënshkruara ishin 216, ndërsa numri i abonentëve të rinj arrin në 1557.
Instalimi i matësave të rinj në kryeqytet ka vijuar, duke shtuar në dy ditë 286 matësa, për një total prej 2548 matësash uji, prej ditës së parë.
Fillimi i aksionit të Bashkisë u njoftua në fund të Qershorit, pas shpalljes së gjendjes së emergjencës për mungesën e ujit në 20% të qytetit.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që të bashkëpunojnë si në rastet e denoncimit të çdo rasti abuzimi, ashtu edhe në përdorimin me kursim të ujit të pijshëm, duke kontaktuar në numrat e telefonit pa pagesë 08004488 dhe 08000888.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.