Aksioni ndaj informalitetit – Ahmetaj: Komunikim dhe edukim i tatimpaguesve

Faza e tretë e aksionit ndaj informalitetit nuk do të jetë për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit , por do të ketë në fokus kryesisht korsinë e komunikimit dhe të edukimit të tatimpaguesit. Ky është mesazhi që përcjell Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi me përfaqësues të administratës Tatimore, Doganore dhe Inspektoratit të Punës.
“Aksioni anti-informalitet, nuk është një aksion për të mbledhur para për buxhetin e shtetit, sepse mbledhja e taksave dhe të ardhurave ka në themel parimin e vetëdeklarimit dhe vullnetarizmit. Aksioni anti- dhe sigurisht të sondimit të zbatueshmërisë së ligjit në sektorë të ndryshëm të cilët dalin në platformën tonë të menaxhimit të riskut, me risk më të lartë sesa dilnin më parë, për shumë arsye të cilat janë të kategorizuara dhe të standardizuara brenda asaj që ne e quajmë platforma e menaxhimit të riskut”, u shpreh ministri.
Sipas Ahmetajt, është taksative që në terren ky aksion të reflektojë vetëm zbatueshmërinë e ligjit.
“Është detyrë e administratës fiskale, e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Inspektoritatit të Punës, që të reflektojnë në terren një zbatueshmëri shumë këmbëngulëse të ligjit dhe një modesti maksimale në përqasje me qytetarët dhe sipërmarrjen, për të reflektuar filozofinë e një qeverie të tërë, e Kryeministrit, që administrata do duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të sipërmarrjes. Ju garantoj që nuk do të tolerohet asnjë sjellje e padenjë, e jashtëligjshme, arrogante, e administratës tatimore, doganore apo inspektoratit kundrejt tatimpaguesve. Kjo është taksative”, shtoi Ahmetaj.
Në dy fazat e para aksioni ndaj informalitetit u fokusua në formalizimin e biznesit të vogël dhe të të punësuarve, si dhe në lëshimin e kuponit tatimor. Ndërsa faza e tretë do fokusohet kryesisht te kontrolli i biznesit të madh dhe kryesisht mbi analizën e riskut.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.