“Aktualisht janë 36 mijë vende pune”, Rama: Kompanitë të bëjnë deklarimin e plotë të punonjësve

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi mbi nxitjen e punësimit deklaroi se në 4 vitet e fundit, reformat e ndërmarra në shërbimet e punësimit kanë dhënë rezultate shumë pozitive, por duhet shumë punë akoma.
“Reformat që kemi ndërmarra kanë dhënë rezultate pozitive, posaçërisht reforma e arsimit, duke i dhënë një shtysë të re arsimit profesional. Reforma e shërbimit të punësimit ka akoma nevojë të thellohet, por deri më tani ka sjellë rezultate. Nëpërmjet zyrave të punës, falë Shërbimit Kombëtarë të Punës, dhe falë një lidhje të re të këtij shërbimi dhe sipërmarrjes, sot numërojmë mbi 80 mijë njerëz të punësuar. 190 subjekte kanë përfituar, si dhe 60 mijë të papunë kanë përfituar kurs falas. Këto janë të dhëna, por nuk mjaftojnë, por duhet thënë se jemi në rrugë të mbarë”.
Kryeministri u bëri thirrje kompanive të mos i shmangen detyrimeve të shtetit, por të bëjnë deklarimet e plotë të punonjësve.
“U bëjë thirrje publike për këto kompani që u shmangen detyrimeve të shtetit, duke mos i dhënë punëtorëve atë që meritojnë. Dhënia e një pjese të pagës në letra, një pjesë në të zezë duhet të marr fund. Ne kemi shumë më tepër mundësi dhe prandaj kemi një program shumë agresiv në mbështetje të punësimit, në mbështetje të sipërmarrjeve që kanë nevojë për më shumë të punësuar, dhe duhet ta përsëris këtu janë 36 mijë vende të lira pune, tani që po flasim. Nuk janë vende të lira uniformë, dhe për nivelin më të ulët të pagave, janë vende të larmishme”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.