Amazon shton 5 mijë vende të reja pune në Britani
Amazon do të punësojë 5000 persona me kohë të plotë në Britaninë e Madhe gjatë këtij viti.
Kjo shtesë në staf për gjigandin e e-commerce të Amerikës, e ngre numrin e punonjësve në 24,000 në Britaninë e Madhe, një rritje prej më shumë se 25 % nga shifra e kaluar e cila ishte 19,000.
Pozicionet e reja do të shtohen në zyrën qendrore të Amazon në Londër, si dhe në pjesë të tjera të vendit, ku personeli i ri do të punojë për risitë kryesore duke përfshirë këtu edhe asistenten e zërit të kompanisë “Alexa”.
“Ne jemi duke hapur vende pune në të gjitha pozicionet, duke filluar nga inxhinierët testues të fluturimit, inxhinierët software, menaxherët e korporatave në qendrat tona të zhvillimit, menaxherët e operacioneve, mbikëqyrësit, inxhinierët, teknikët e shërbimit, pozicionet HR si dhe shumë pozicione të tjera”, tha në njoftimin për shtyp Doug Gurr, menaxher i Amazon në UK.
Zyra e re qendrore e Amazon, në Shoreditch, në lindje të Londrës do të hapet këtë vit. Shoreditch është qendër kryesore për teknologjitë fillestare të Londrës.
Angazhimi i firmës me bazë në Seattle ndjek kompani të tjera teknologjike të SHBA-së, ashtu si Britania vazhdon të mbetet një vend tërheqës për të investuar pavarësisht nga pasiguria e krijuar pas vendimit për lënien e Bashkimit Evropian.
“Angazhimi i Amazon në Londër pritet të sjellë vende të reja pune si dhe një rritje në ekonomi, si dhe ofron prova të mëtejshme të statusit tonë si një destinacion i klasit botëror për bizneset e teknologjisë globale”, u shpreh në një deklaratë Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan.
Përshtati: Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.